TË SHPIFËSH PËR TË PAQENËN?!

Saturday, January 8, 2011 Read Comment
Nuk ka dyshim se që në momentet e para të jetës njerëzore është shfaqur edhe lufta mes të vërtetës dhe të kotës. Kjo luftë është ndezur dhe është ashpërsuar më tepër në kohën e të dërguarve e më pas me pasuesit e tyre. Ai që vështron me kujdes në tekstet kuranore, apo edhe në faktet historike do të gjejë një sërë ngjarjesh, të cilat na e pasqyrojnë këtë luftë. Mjafton vetëm të shfletosh historinë e profetit Ibrahim me Nemrudin[1];të Musait me faraonin[2]; të Nuhut me popullin[3] e tij dhe së fundi të Muhamedit me popullin e tij e do të shpaloset qartë, se e kota dhe pasuesit e saj i kanë përdorur të gjitha metodat e mundshme për ta parandaluar përhapjen e së vërtetës dhe fenë e Allahut, që e kanë predikuar Profetët e Tij.
Nga metodat më të vjetra dhe më të përhapura, të cilat njëkohësisht janë nga më lajkataret dhe tinëzaret është edhe akuzat ndaj fesë së Allahut, duke u hequr si këshillues, si dashamirës e miqësor. Këtë metodë e përdorën kurejshët me fiset dhe njerëzit përreth, të cilët nuk e njihnin Muhamedin dhe Fenë Islame. Ata e akuzuan Muhamedin, si magjistar, i çmendur dhe poet, aq sa dikush vendosi në veshët e tij pambuk, në mënyrë që të mos dëgjonte ndonjë fjalë të këtij njeriu, por kur përballej me të dhe dëgjonte prej tij, e kuptonte fare mirë, se e gjitha kjo kish qenë një truk dhe një iluzion, në mënyrë që t’i mbante ata peng të së kotës dhe larg të vërtetës. “Thuaj: “E vërteta erdhi, kurse e pavërteta është fshirë e nuk mund të shfaqet përsëri”.[4]
E njëjta situatë përsëritet edhe sot. Dashakeqët e Islamit dhe të muslimanëve, të cilët njëkohësisht zotërojnë pjesën dërmuese të medies së shkruar dhe vizive, kanë kohë që hedhin akuza të njëpasnjëshme ndaj Islamit dhe muslimanëve. Një gjë e tillë prej tyre është e pritshme, sepse ata kërkojnë që me anë të saj të ulin potencialin e Islamit, i cili po përhapet fuqishëm në mesin e tyre (në perëndim), ndaj dhe mjeti më i mirë për parandalimin e këtij fenomeni është hedhja baltë mbi Fenë Islame dhe pasuesit e saj. “Ju, me siguri, do të sprovoheni në pasurinë e në jetën tuaj dhe do të dëgjoni shumë fyerje nga popujt që iu është dhënë Libri para jush, si dhe nga paganët. Por nëse ju duroni dhe ruheni (nga të këqijat), atëherë kjo është vërtet përcaktuese e çështjeve”.[5]
Sot perëndimi i krishterë për të arritur qëllimet e tij, po hedh mbi Islamin akuzat më të rënda, ndaj Profetit të tij, akuzat më të paqena dhe ndaj Kuranit shpifjet më të ulëta. Karikaturat nëpër gazetat famëkeqe të Danimarkës dhe Evropës mbarë, ende vazhdojnë dhe nxisin incidente dhe zemërim. Ata mundohen të shpalosin se Muhamedi, Profeti Islam ka qenë një njeri, i cili nxiste vetëm luftëra dhe ishte i etur për gjakderdhje. Ata e dinë se janë duke gënjyer, sepse ata e njohin më mirë se kushdo tjetër personalitetin e Profetit tonë: “Atyre që u kemi dhënë Librin, e njohin atë (Profetin), ashtu siç i njohin bijtë e tyre, por disa prej tyre e fshehin të vërtetën, duke e ditur mirë”.[6] Por këto akuza që ata hedhin, janë ndoshta nga masat e vetme për t’i mbajtur njerëzit në errësirë dhe padituri rreth realitetit të Fesë Islame, ashtu sikurse bënin në Mesjetë me mendimtarët e tyre, duke i djegur në turrat e druve.
Ramamakrishna Rao në lidhje me Muhamedin thotë: “Trajtimi që ai u ka bërë armiqve të vet më të egër është shembulli më fisnik për ndjekësit e tij. Gjatë çlirimit të Mekës, ai qe’ në kulmin e pushtetit të tij. Qyteti që nuk kish dashur t'ia dinte për predikimet e tij, që i kishte torturuar ndjekësit e tij, që e kishte dëbuar dhe e kishte detyruar të mërgonte bashkë me popullin e vet, dhe që e kishte persekutuar dhe bojkotuar edhe në vendin, ku ai kishte mërguar rreth 200 milje larg, tashmë shtrihej nën këmbët e tij. Sipas ligjeve të luftës ai mund të ishte hakmarrë me të drejtë për të gjitha mizoritë, që kishte hequr ai dhe njerëzit e tij. Por çfarë trajtimi u dha ai atyre? Zemra e Muhamedit ishte plot me dashuri dhe ai deklaroi: "Në këtë ditë nuk ka HAKMARRJE ndaj jush dhe ju jeni të gjithë të lirë”.
Duhet të pohojmë se të vrarët në radhët e kundërshtarëve të Muhamedit dhe fesë së tij[7]përgjatë njëzet e tre vjetëve të jetës së tij, nuk e kalonin numrin e fëmijëve të vrarë nga krimet çifute kundra Gazës vitin e shkuar. Ndaj dhe me të drejtë Hjuston Smith, kur flet për figurën e Profetit thotë: “(Muhamedi) Ishte i sinqertë dhe i dashur për njerëzit e vet, njeri bujar dhe i dhembshur. Gjithnjë ka ndier dhembje ndaj vuajtjeve njerëzore dhe tregohej i gatshëm t'i ndihmonte të tjerët, e veçanërisht të varfërve dhe të paaftëve. Për shkak të ndjenjës së tij të ndershmërisë, obligimit dhe të besimit, ai fitoi tituj të lartë si 'i drejti' dhe 'i besueshmi”.[8]
E pra, ata që hedhin baltë mbi figurën e Profetit Muhamed sot janë të ndërgjegjshëm, se ai ka qenë njeriu më i mëshirshëm, që ka ecur ndonjëherë mbi shpinën e kësaj toke, se ka qenë njeriu më paqësor, më bujar, më dashamirës dhe më zemërgjeri, ashtu sikurse e dinin dhe kurejshët, se ai ishte besnik, i drejtë, bujar dhe i dashur, e megjithatë të dyja palët, si të djeshmit dhe të sotmit kanë bërë plane, që me anë të këtyre akuzave të mbajnë larg njerëzit nga Islami dhe asgjë më tepër.
Akuzat e tyre nuk u kufizuan vetëm me figurën e Profetit të mëshirës, por ata fyen, shanë e përdhosën edhe Kuranin, librin e Allahut të Lartësuar. Me këtë lloj politike qarqe të caktuara në Perëndim, mundohen të mbjellin ndër masat e njerëzve idetë, se Kurani është libër që mbjell terror dhe dhunë, dhe se njerëzit nuk duhet ta mbajnë në duar këtë libër! Nga ana tjetër ne çdo ditë shohim në Perëndim forma të ndryshme të përdhosjes ndaj Kuranit. Shkaku që i shtyn ata ta bëjnë një gjë të tillë është shumë i qartë dhe tejet i lexueshëm, ata kanë frikë se nëse njerëzit do ta lexojnë këtë libër do të zbulohen shumë nga të palarat e ndyra të qarqeve të Perëndimit.
Po, ata përdhosin Kuranin, sepse e kuptojnë dhe janë të vetëdijshëm, se ai i çliron njerëzit nga prangat e robërisë, për tek krenaria. Kurani është vërtet ashtu sikurse e ka përshkruar U. Durant[9], i cili thotë: “Kurani vazhdon që prej katërmbëdhjetë shekujve të qëndrojë i ruajtur në memorien e muslimanëve. Ai ngacmon imagjinatën e tyre, u modelon sjelljet dhe nxit natyrat e miliona njerëzve. Kurani u përçon shpirtrave besimin e thjeshtë, larg mjegullimeve, dokeve dhe liturgjive, madje mesazhet e tij më të shumta janë për çlirimin nga idhujtaria. Ai ka meritën më të madhe të ngritjes së nivelit të muslimanëve në aspektin e moralit dhe të kulturës. Ai ka ngritur tek ata rregullat e shoqërisë, i ka çliruar mendjet e tyre nga shumë iluzione dhe supersticione; i ka çliruar nga padrejtësia dhe egërsia, madje nëpërmjet tij u lehtësua gjendja e skllevërve. Ai mbolli në shpirtrat e të përçmuarve krenarinë dhe mbolli mes muslimanëve drejtësinë, përqendrimin dhe largimin nga epshet në një mënyrë, aq të përkryer, sa nuk mund të gjesh një shembull si ai në ndonjë cep toke ku jetojnë të bardhët”.[10]
Ndërsa J. S. Restler[11] shprehet: “Kurani ka aftësinë të gjejë zgjidhje për të gjitha problemet, ai bën një lidhje të përkryer mes ligjit fetar dhe atij moral. Ai përpiqet për ngritjen e rregullit, unitetin e shoqërisë dhe pakësimin e mjerimit. Kurani përpiqet për ndihmesën e të dobëtëve, këshillon për bamirësi dhe urdhëron për mëshirë”.[12]
Ndaj dhe përhapja në masë dhe e shpejtë e Islamit, nuk ka ardhur si rezultat i përdorimit të forcës e dhunës, madje as nëpërmjet përpjekjeve të vazhdueshme të predikuesve muslimanë, përkundrazi kjo përhapje e Islamit ka ardhur për shkak të këtij libri; Librit të Allahut e fjalës së vërtetë, të cilin muslimanët ia paraqitën popujve të mundur, duke i lënë të zgjedhin mes leximit dhe refuzimit të tij”.[13]
Këto mesazhe janë të qarta dhe hedhin dritë ende më tepër për shkaqet e kësaj lufte barbare me shpifje ndaj Islamit. Prapavija e tyre është një: Të parandalojmë sa të mundemi përhapjen e Islamit. Në momentet që shahen përdhosen dhe hidhet shpifje për simbolet më madhore të fesë Islame, natyrshëm nuk do të mbeten jashtë kornizave të shpifjes besimtarët muslimanë, të cilët mundohen të praktikojnë fenë e tyre. Aq shumë janë tepruar shpifjet ndaj muslimanëve, saqë kur një femër muslimane shfaqet e mbuluar, menjëherë mendohet se ajo është e detyruar, e dhunuar, e persekutuar, e prapambetur etj., ndërsa nëse mbulohet një e krishtere, ajo shihet si grua e denjë dhe respektohet në maksimum si një shërbëtore e fesë së saj?! 
Kur një musliman lëshon mjekër, menjëherë do të mendohet apo akuzohet si ekstremist e vehabi, ndërsa kur lëshojnë hebrenjtë mjekra, ata nuk quhen të tillë, por nderohen si njerëz fetarë?!
Në momentin kur një musliman i papërgjegjshëm bën një krim, që bie ndesh me parimet e Islamit, menjëherë në kafazin e të akuzuarve gjendet vetëm Islami, ndërsa kur të krishterët dhe hebrenjtë ndërmarrin shfarosjen e popujve në emër të fesë, në këto situata feja nuk përmendet sepse e tillë është politika?! Sado që Perëndimi me propagandën e tij mediatike të hedhë akuza të paqena për Islamin, Kuranin dhe muslimanët, përsëri njerëzit që zotërojnë logjikë të shëndoshë e dinë dhe janë të ndërgjegjshëm, se burgjet e inkuizicionit, Guantanamos, Ebu Graibit, përdhunimin e grave dhe të miturve, vrasjen e civilëve dhe pushtimin e shteteve (vetëm për fitime materiale) në emër të lirisë, nuk i kanë ndërmarrë muslimanët, nuk i ka nxitur Kurani, Muhamedi e as Islami, porse vetëm njerëz famëkëqij, të cilët historia dhe njerëzimi do t’i kujtojë si kriminelë lufte. Madje edhe shumë krime, të cilat ua veshin muslimanëve, nuk janë gjë tjetër vetëm se një hallkë në zinxhirin e madh të shpifjeve ndaj kësaj feje dhe pasuesve të saj, të cilat nuk është e vështirë për shërbimet sekrete t’i realizojnë vetë ato.
Ata përpiqen që të parandalojnë përhapjen e kësaj feje, përpiqen të shuajnë dritën e Allahut me akuzat dhe luftën e tyre, me shpifje të paqena dhe jo reale, por nuk do të munden dot t’ia arrijnë këtij qëllimi, sepse Allahu do ta plotësojë fenë e Tij, edhe pse nuk i vjen mirë jobesimtarëve. “Ata dëshirojnë të fikin dritën e Allahut me gojën e tyre, por Allahu e përsos dritën e Vet, edhe nëse (këtë gjë) e urrejnë jobesimtarët. Allahu është Ai që e ka çuar të Dërguarin e Vet me udhërrëfimin dhe fenë e së Vërtetës, për ta ngritur atë më lart se të gjitha fetë, edhe nëse nuk e pëlqejnë idhujtarët”.[14]


[1] Sundues në kohën e Profetit Ibrahim, shiko Sure Bekare, 258.
[2] Lexo suren Taha, 49-72.
[3] Lexo suren Nuh.
[4] Sure, Sebe: 49.
[5] Sure Ali Imran, 186.
[6] Sure Bekare, 146.
[7] Të cilët vazhdimisht provokonin luftëra dhe që kërkonin të zhduknin fizikisht, vetë Muhamedin dhe fenë e tij.
[8] "The Religions of Man", Mentor Books, f. 203.
[9] U. Durant është shkrimtar bashkwohor amerikan, libri i tij “Historia e civilizimit” konsiderohet ndër librat më të shquar që flasin për civilizimin e popujve.
[10] Historia e civilizimit, v: 16, fq: 68-69.
[11] J. S. Restler është një studiues francez bashkëkohor.
[12] Civilizimi arab fq. 45.
[13] Ky është pikërisht një tekst i përpiktë i studiueses Italjane Laura Veccia Vaglieri, të cilin e ka përmendur në librin e saj: “Në mbrojtje të Islamit”, fq: 59.

[14]  Sure Hashër, 8-9.

0 comments:

Post a Comment

 

© 2010 VehabizmiBlogger Template by dzignine